Alb2010's Blog

February 26, 2010

Esad Toptani e Ismail Qemali në kronikat italiane

Filed under: Uncategorized — by alb2010 @ 11:58 pm

Ai na sjell një tjetër këndvështrim për kohën. Ka parë nga afër lëvizjet politike, kryengritjet, ka takuar personalitete dhe ka prekur mjerimin shqiptar në dekadën e dytë të shek. XX. “Gjashtë muaj mbretërimi në Shqipëri” titullohet libri i A. Italo Sulliotti, gazetar italian, i cili pritet të dalë së shpejti nga shtëpia botuese “55”. Ky libër hedh dritë në një nga periudhat më të errëta të historisë shqiptare, atë që parapriu dhe shoqëroi mbretërimin “farsë” të Princ Vidit. Përveç një përshkrimi të ngjarjeve të atij viti, si ardhja e princit, dëbimi i Esad Pashës, kryengritja e Durrësit, etj, ai bën një analizë të qëndrueshme mbi to. Përse çështja shqiptare më në fund tërhoqi vëmendjen e Fuqive të mëdha, përse ato zgjodhën të vinin në krye të shtetit të ri të pavarur Princ Vidin dhe përse Esad Toptani zgjodhi t’i nënshtrohej princit, ndonëse vullneti i tij e drejtonte në një tjetër kah. Sipas drejtores së Shtëpisë Botuese “55”, Alda Bardhyli, “Gjashtë muaj mbretërimi në Shqipëri”, i cili pritet të dalë në treg këto ditë është një nga dëshmitë më interesante për Shqipërinë e viteve 1914. “Për herë të parë një reporter, i cili ka jetuar për një kohë të gjatë në vendin tonë, A. Italo Sulliotti, sjell një vështrim krejtësisht ndryshe të figurave historike dhe ngjarjeve të kohës, si Pric Vidi, Esad pasha, apo Ismail Qemali, duke na dhënë një tablo tjetër për kohën. Ky libër, i cili është pjesë e kolanës “Intelligenda” e cila drejtohet nga studiuesi dhe përkthyesi i njohur, Aurel Plasari është një nga dëshmitë më autentike, që fsheh plot të fshehta dhe enigma historike”, thotë Bardhyli. Ky libër është një përmbledhje shkrimesh që Sulliotti botoi në gazetën italiane “Tribuna”. “Tetë muajt e jetës shqiptare më japin një lloj të drejte, në mos për të gjykuar me siguri absolute një situatë reale, që ishte dhe është ndër më të komplikuarat e më të çuditshmet e historisë bashkëkohore, të paktën për t’i ndriçuar nën një dritë të vërtetë njerëz dhe fakte, mbi të cilat gjykimi i njerëzve larg tyre nuk mund të jetë veçse i papërsosur…. Është e domosdoshme të kërkojmë t’i mbledhim të gjithë elementët më pak të luhatshëm të botës së turbullt ku bulon Shqipëria, për t’i dhënë publikut një vizion të paktën sistematik, të asaj çka ajo qe, është e do të jetë”, shkruan në nëntor të vitit 1914 gazetari italian.
PJESE NGA LIBRI
Pse Fuqitë e Mëdha zgjidhën Princ Vidin
…I pranueshëm për Italinë ishte Princi Fuad, kurse për Austrinë Princi Urach; lulëzonin përreth tyre kandidaturat pak a shumë spontane të Princit Napoleon, të fundmit të Kastriotëve dhe të Dukës së Montpensierit. Por të gjitha këto perënduan. Ishte Italia atëherë, që, duke dashur të afrojë një provë të faktit se nuk kërkonte një emisarin e vet në fronin e Shqipërisë, nxori jashtë prej hijes një emër neutral, kapitenin e Ulanëve të kajzerit, Princin Vilhelm Vid. Austria e pranoi vullnetarisht, e, i interesuari, akoma edhe më vullnetarisht, fuqitë e tjera ishin të ç’interesuara për zgjedhjen, e Princ Vid-i u shpall Princ i Shqipërisë. Që nga ajo ditë çështja shqiptare që pat provuar edhe vetëtima të tragjedisë, degjeneroi në operetë: i diktohej racës më krenare, më kryengritëse dhe më komplekse të Evropës, figura më e zbehtë dhe më mediokre e fisnikërisë: aty ku do të nevojitej, për të mbërthyer frerët e qeverisjes, elasticiteti mendor i një latini, dërgohej të mbizotëronte ashpërsia burokratike e një gjermani, madje e një gjermani të mangët nga energjia dhe inteligjenca, dërgohej një njeri i sunduar nga ambiciet e bashkëshortes, e për të cilën ishte shprehur me tone skeptike edhe vetë Perandori. Italia, megjithatë, shpejtoi besnikërisht t’ia lehtësonte detyrën e nderuar, me çfarëdo lloj ndihmese morale dhe materiale. Austria e kuptoi menjëherë si një instrument të planit të saj të paramenduar prej një kohe të gjatë: ideoi dy rrugë: ta mbante si një kukull – duke i kujtuar se ai ishte para së gjithash një gjerman – ose ta shtynte me të shpejtë drejt humnerës, për të pasur pretekstin e ndërhyrjes. Njeriu që Italia kishte arritur ta ngjiste në fron, qe ai që do të shihet si një instrument i verbër në duart e qeverisë së Vjenës, për të synuar një politikë qesharakësisht armiqësore ndaj Italisë. E kur ata që manovronin fijet e  personalitetit të tij aspak madhështor prej mbreti hollak, e kuptuan që ishte e vështirë ta orientoje Shqipërinë kundër Italisë, parapëlqyen ta përdornin për ta përshpejtuar dekompozimin e fronit, e për ta vënë heraherës, në kushte qesharake e tragjike, që ta detyronin ta lëshonte përgjithmonë bregun e ngratë të Durrësit. Gjashtë muaj mbretërimi nuk i vlejtën Vilhelm Vid-it më shumë sesa promovimi si major i regjimentit të tij në Berlin. Më 7 mars ai arrin në Durrës me anijen Taunis, i shoqëruar solemnisht nga anijet e Fuqive të Mëdha dhe i pritur nga një turmë shumëngjyrëshe dhe entuziaste, që e shihte atë si të gjatëpriturin Lohengrin që vinte nga deti. Sforcimi i përbashkët i diplomacisë kishte arritur t’i përgatiste një ardhje të qetë. Ismail bej Qemali, kryetar i qeverisë së Vlorës, i dyshuar për intriga turkofile, qe larguar nga Shqipëria prej Komisionit të Kontrollit, enti kujdestar ndërkombëtar që Fuqitë e Mëdha i kishin shënjuar shtetit të ri. Bib Doda, kryetar i fisit katolik të Veriut, i premtoi Princit të sapoardhur çdo lloj mbështetje: ndërkohë që gjenerali Esad Pasha jetonte i vetëm në Durrës, që pas mërgimit nga Shkodra. Një muaj më parë edhe vetë gjenerali, qeverisës i territorit të Durrësit, ishte detyruar të pranonte vullnetin e Evropës, për të shkuar tek Neu Vid-i me delegacionin shqiptar e për t’i dhuruar kurorën; të gjitha vështirësitë një nga një ishin shmangur: nuk nevojitej veçse gjenialitet, energji e vullnet i mirë për të konsoliduar fronin e sapolindur. Wilhelm Vidi dhe këshilltarë e tij austriakë patën një aftësi të veçantë për të gjetur të gjitha rrugët e mundshme për ta shkallmuar atë: duke zemëruar shumicën myslimane, të kontrolluar nga roje përjashtimisht e fonetikisht katolikë; duke lejuar një pjesë të madhe të gjyqësisë, edhe në ambientin politik, në dorë të zyrtarëve holandezë të emëruar nga Evropa si instruktorë të xhandarmërisë; duke provokuar revolta e duke e shtyrë drejt dëshirës së pandryshueshme të besimit të mbretit, të mbyllur e aspak njohës të shpirtit të atij populli që ishte caktuar të sundojë. E s’kishte si t’u kundërvihej këtyre cilësive të tij negative as kabineti i parë shqiptar: një bashkim amorf i njerëzve të pangjyrë, të udhëhequr nga dobësia pleqërore e Turhan Pashës, që e kalonte kohën duke medituar, mes kafesë e cigareve, planet më ciklopike të rilindjes shqiptare, pa u shqetësuar për paratë që mungonin a për njerëzit që gjithashtu mungonin ose qenë të mangët në cilësi. Pasi për burra – në sensin mashkullor dhe burrëror të fjalës – ishte një i vetëm: Esad Pasha. Mirëpo më 19 maj, zyrtarët austriakë që qeverisnin Durrësin e largojnë Esad Pashën nga shtëpia e tij nën kërcënimin e të shtënave të topave. Atëherë ai qe ministër i mbrojtjes, i detyruar kështu të mërgojë nga Shqipëria, falë ndërhyrjes italiane, që i bindi austriakët ta lejonin të largohej, në pamundësi për ta vrarë. Katër muaj më vonë – në mes të zallamahisë së një lufte akoma edhe më të gjerë që jehon nëpër Evropë – Esad Pasha do të rihyjë në Durrës në krye të 8 mijë njerëzve të armatosur, për të marrë në duar frenat e  qeverisjes, Wilhelm Vid-i u kthye larg, në mes të asaj ushtrie gjermane, prej së cilës, për dinjitetin e tij e të Evropës, nuk duhej të ishte larguar kurrë…
Përballja mes Esad Toptanit dhe Ismail Qemalit
Është e sigurtë që, në kaosin e turbullt të konkurrencave familjare e feudale, në të cilat përndizet dhe pluralizohet fuqia në Shqipëri, dy janë figurat që spikasin dhe qëndrojnë në fushën politike: Ismail Qemali dhe Esad Pasha: dy polet njerëzore brenda të cilëve fillon e mbaron çështja shqiptare… Na mbetet tash ta rikompozojmë në gjithë tërësinë dhe vërtetësinë e saj -një tërësi dhe vërtetësi, kjo që shtypi europian nuk ka arritur ende ta përcaktojë në mënyrë absolute – personalitetin e veçantë të tjetrit: pra, të njeriut që përgatitet t’i dorëzojë Princ Vid-it një Shqipëri që ai e ka ruajtur në kushte jo shumë të këqija. E këtu kemi të bëjmë me një personalitet të veçantë e të mirëpërcaktuar, pasi mjafton ta vështrosh pak gjeneral Esad Pashë Toptanin, për të kuptuar mentalitetin e tij, që tërhiqet dhe lëviz midis palëve të interesit dhe ambicies, të mençurisë e impulsivitetit. Por është e nevojshme t’i japim këtij luftëtari të zgjuar e dinak ballkanik, atë pjesë të drejtësisë që i takon, e që në Evropë ua kanë atribuuar shumë pak njerëz të diplomacisë,  shtypit dhe opinionit publik. Për ta kuptuar Esad Pashën e për ta menduar në peshoren e rrezikut që ai paraqet për Evropën lipset para së gjithash të rimendojmë trajtimin e ndryshëm që ai dhe Ismail Qemali patën për Evropën. Esad Pasha kishte të drejtë t’i ndjente dallimet. E kjo se, nëse anatemat, mosbesimet e frikërat e të gjithëve janë drejtuar përkundrejt Shqipërisë modeste ku ai, përballë Adriatikut të kthjellët, po kënaqet të përgatisë dorëzimin e Shqipërisë ndaj Princit nordik, nga ana tjetër është fatkeqësisht e sigurt që një rrymë e pashpjegueshme optimizmi dashamirës, ka shtrirë deri në këto ditët e fundit, flatrat e saj të mjerueshme nëpër kafenetë mediokre të Vlorës, ku Ismail Qemali… ka lënë të kalojnë telegramet mbi përgatitësit e udhëtimit të Beqirit. Kjo është e vërteta që lipset të thuhet menjëherë: U ekzaltua Ismail Qemali, u përgojua Esad Pasha; të frikësuar nga dhuna e largët u mbyll një sy ndaj intrigës së afërt të guvernatorit antik të Beogradit. Por kush është pra Esad Pasha, mos vallë një njeri që Evropa e figuron si një të trazuar leo quarrens quem devortet, që mezi pret momentin e duhur për të lartësuar flamurin e revoltës e për të na thyer – në mënyrë figurative – vezët në shportë diktuesie të Perëndimit? Sapo ngjita këtë mëngjes edhe një herë tjetër shkallëzën e përdredhur prej druri, që të shpie në paradhomën e Esad Pashës. Një zyrë e vogël dhe modeste e gjykatës shtetërore, ku tre funksionarë të kësaj qeverie të çuditshme personale rrinë ulur me qetësinë karakteristike myslimane përpara fletëve të pashkruara dhe dënimeve të pazbatuara. Esadi ka kultin e telegrafit: Scripta manent dhe telegramet fluturojnë. I parapëlqen të mos lerë asnjë shenjë të vetes… Në dhomëzën e qetë e të pastër, ku një tavolinë e ndonjë karrige formojnë mobilimin e thjeshtë -të ngjan me dhomën e punës të një zonjushe nga provinca -gjeneral Esad Pasha m’u shfaq përballë me një buzëqeshje të rrëmbimtë, që ia kreshpëroi me rrudha cepat e ballit dhe i lëshoi një dritë të beftë syve të tij të çuditshëm e të qelqtë. Esadi është rrezatues këtë mëngjes. Dora-dorës që unë po i shtjelloja hollësitë e nisjes së menjëhershme të Ismail Qemalit nga Vlora për në vendin e tij të pushimit, ish-mbrojtësi i Shkodrës e shtonte përkundrejt meje, nëpërmjet elokuencës së shtrembër të përkthyesit, dashamirësinë e tij. “Shikoni pak – tha Esad Pasha – është e mjerueshme që Komisioni i Kontrollit nuk ia ka kontrolluar valixhet përpara se të nisej. Besomëni, do të kishin gjetur shumë  gjëra interesante! Për pjesën tjetër, unë jam i gëzuar. Mendoni, unë s’kam pasur besim prej kohësh tek Komisioni i Kontrollit në lidhje me Ismail Qemalin dhe e kisha paralajmëruar për falsitetin dhe lojën e dyfishtë të tij! Tash, siç po e shihni, ngjarjet po më japin të drejtë. Po makthi mbaroi. Derisa Ismail beu ishte në Vlorë, mes tij dhe meje llogaritë qenë të hapura. Tash detyra ime mbaroi ose është pothuajse e mbaruar. Kur Princ Vid-i të arrijë këtu, do të gjejë një Shqipëri të qetë dhe të gatshme ta mirëpresë: unë do të jem nën urdhërat e tij, për të bashkëbiseduar me të, siç di e siç mundem më mirë. “Komisioni i Kontrollit, siç ju thashë, më ka lajmëruar në mënyrë të tërthortë që unë të tërhiqem. Jam i lodhur, kam të drejtë të pushoj, e do të pushoj. Veçse debacle i rrëmbyeshëm i Ismail Bej Qemalit ma bën të pamundur diçka të tillë tani shpejt. Unë s’dua të bëj lojën e tij. Duke u larguar, ai synoi të arrinte një hakmarrje, që dëfton për mungesën e patriotizmit nga ana e tij, për përpjekjet që të më zvarrisë kështu edhe mua në humnerë. Diktoi, si kusht për tërheqjen e vet, tërheqjen time të njëkohshme, duke e ditur fare mirë se një paqe e një qetësi e paarritur kurrë më parë mbretëron në territoret e mia dhe se do të shpërthente menjëherë anarkia nëse unë do ta braktisja sot fuqinë. “Imagjinoni, unë punoj natë e ditë për t’i mbajtur në frena këta njerëz, për të përgatitur ardhjen e Vid-it. Mos duhet vallë të shkatërroj brenda orës punën e kaq shumë kohe? Më tej unë nuk dua që fati im të jetë i përbashkuar me atë të Ismail Qemalit. Dua që Evropa ta dijë se ai po niset i shkatërruar nga pesha e fajeve dhe gabimeve të veta, ndërkohë që unë po dorëzoj në duart e Princit që ajo ka zgjedhur, sovranitetin e territoreve që arrita t’i ruaj besnike e të bashkuara. E kjo, sepse dëshiroj që populli të jetë i lumtur dhe mikpritës ndaj shkëlqesisë së Tij.”  I kërkuam Esad Pashës edhe një mendim mbi procesin e Beqirit. Buzëqeshja e gjeneralit u fik: fytyra e tij u rikompozua në një maskë ashpërsie mbresëlënëse. -Beqiri? Isha unë që e dëbova prej këtu. Krimi i tij është një krim ushtarak; dhe dënimi i tij duhet të jetë i së njëjtës përmasë me atë të Ismail Qemal Beut, që si kryetar i qeverisë, ka tradhtuar dyfish Evropën dhe vendin e tij.
* * *
Këto janë deklaratat e reja që arritëm të marrim prej Esad Pashës. E duket, sipas mendimit tonë, që në to mund të gjejmë, përtej gjykimit të përgjithshëm personal të njeriut që i pat bërë, fillin e një logjike të pashkatërrueshme, përmbajtjen e një të vërtete që do të qe e padrejtë të mos njihej. Por, sado, fobia dhe ismailofilia me të cilën në Vlorë ndiheshin të gjithë të molepsur – duke përfshirë edhe Komisionin e Kontrollit – e ka penguar deri më tani një njohje e tillë. E kjo është një e keqe e qartë në kuptimin e problemit shqiptar. Pasi edhe vetë problemi Esad – le ta quajmë kështu – është skajësisht i thjeshtë. Nga ditët vijonjëse të rënies së Shkodrës, nga ditët, pra, kur Evropa përshpejtoi të deklaronte përfundimisht se synonte të zgjidhte për Shqipërinë një princ europian, Esad Pasha nuk e pati ëndërruar kurrë të qe ai princi i zgjedhur. I pajisur me kulturë, por me perceptime të mprehta, gjenerali antik turk e kuptoi përsosmërisht se si anijet e Fuqive të mëdha mjaftonin për pushtimin e Durrësit ku ai do të kishte dashur të rezistonte; e për të vazhduar qëndresën atij do t’i duhej të fshihej nëpër male, në krye të bandave të veta, duke sakrifikuar emrin, ambiciet dhe lavdinë, për marrëzinë e një çasti. Kështu, pra, Esad Pasha e ndjeu menjëherë se ishte i detyruar t’i përkulej Evropës, e që nga ana tjetër, në këtë mënyrë dinjiteti dhe prestigji i tij ndaj saj nuk cenoheshin aspak. Që nga ajo ditë – e kjo është sinteza e këtij njeriu – ai vetëm ka dëshiruar t’i paraqitet Evropës dhe princit që pritet të mbërrijë, si i pari i shqiptarëve; për të hipotekuar kësisoj me forcën e vet një copëz të lavdisë së të nesërmes. Kjo është e gjitha. E ndërkaq, kur në Vlorë formësohej qeveria Provizore e Ismail Qemalit, e njohur nga Fuqitë e mëdha, ai shpërthen: shpall autonominë dhe nuk e njeh qeverinë e Vlorës. Pati arsye? Ndoshta po. Sigurisht, ashtu siç ma deklaroi vetë, ai kishte dëshiruar dhe dëshiron të demonstrojë se është i ndryshëm për nga fisnikëria e racës dhe e dashurisë për Atdheun, dhe më i mirë sesa kryetari i qeverisë së Vlorës. Ndaj edhe u nda me të. Ndoshta duke mos besuar në shenjtërinë patriotike dhe në shpirtin e sakrificës së gjeneralit – ai do të kishte dashur në atë moment, nëse Evropa nuk do të kishte qenë kaq afër dhe kaq e vendosur, të mblidhte trupat e  tij e t’i jepte një të “pushtuar” Vlorës… Por, meqenëse e kuptoi pamundësinë e rezistencës, u bë “djal’ i mirë” (bon enfant). E duke zotëruar territorin e Durrësit, filloi, nëpërmjet një aksioni të njëkohshëm e paralel, ta shtrinte fuqinë e vet e të bënte propagandë për Princ Vid-in. Kjo nga Fuqitë larg vendit nuk u kuptua. Edhe ne vetë arritëm këtu të keqpërgatitur nga opinioni publik europian, që duke i parë nga larg aspektet e turbullta e të jashtme të gjërave, nuk arrinte ta shpjegonte dhe e quante jokoherente dhe briganteske lojën e dyfishtë të Esadit. Tashmë, për një njeri që arrin më së fundi ta rrokë nga afër realitetin, vija e zhvillimit të çështjes saktësohet e thjeshtësohet. Esad Pasha është thjeshtësisht njeriu që kauza e ambicies së vet e bën të sinqertë: është njeriu, që duke u sforcuar të bindë Evropën dhe Princ Vid-in se ai është i pari i shqiptarëve, do të fitojë sigurinë e të qenit nesër të paktën i dyti.

A është i shitur populli shqiptar?

Dy janë akuzat që u bëhen shqiptarëve pa dallim feje nga kriticizmi i pamëshirshëm i gjykata evropiane: ajo e të qenit të pabindur ndaj civilizimit dhe ajo e të qenit të bleshëm e të shitshëm, të korruptueshëm e të korruptuar. Mirëpo që të dyja këto akuza rrëzohen përballë një shqyrtimi të pastër të realitetit. E para rrëzohet sepse është absurde të flasësh për dritë të qytetërimit në një rajon ku mungesa e komunikacionit – këtu vendos më shumë nga gjithçka çështjen shqiptare – e ka bërë të pamundur aktivizimin e çdo lloj kontakti midis rajoneve e midis shteteve fqinje a të afërt. Po jo vetëm kaq, duhet të mbajmë mirë parasysh se asnjë racë superiore, asnjë popull i shtyrë aq përpara në rrugën e progresit, deri pak kohë më parë, ishte përpjekur ta shkundte në mënyrë të painteresuar këtë ambient, për ta rinovuar a modifikuar; as gjendet ndonjë shtet i cili në veprën e vet të sundimit a të depërtimit, ta kishte kufizuar në shfrytëzimin egoist të defekteve e mangësive, sesa në korrigjimin dhe integrimin e tyre. Është pyetur shpesh – është e lehtë të pyetet – përse vallë shqiptarët nuk e kanë bërë vetë një gjë të tillë. Por s’është menduar kurrë se asnjë popull s’e krijon dot automatikisht evolucionin e vet nisur nga gjendja e një inferioriteti absolut, nëse nuk ka dikë që t’ia qartësojë udhën.. Ndoshta këta njerëz gjendeshin në Shqipëri; por qenë të pakët, të dobët, të izoluar, të paaftë për të rifituar sundimin moral të një race, që dalëngadalë kishte rënë e topitur në letargji. Është thënë gjithashtu, sidomos në këto kohët e fundit, e sidomos në shtypin francez e atë grek, se Shqipëria kishte ruajtur për Turqinë një nostalgji të atillë që ngjante thuajse me një dëshirim. Ndoshta. E ndonjë simptomë mund ta nënvizoj edhe unë. Por lipset të theksohet se Shqipëria, në pjesën më të madhe myslimane, gjendet e bashkuar me Turqinë nga një lidhje fetare që asnjë forcë njerëzore – shqiptare apo evropiane qoftë – nuk duhej e nuk mundej as edhe të synonte ta dhunonte. Prej kësaj rrjedh vena e korruptueshmërisë që u vishet shqiptarëve. mirëpo, vetëm një idealizëm romantik, një favorizim i kotë e i padrejtë, mund ta justifikojë këtë akuzë – shpjegimi i saj bazohet në premisën tonë të parë: shitshmëria e popullit shqiptar vjen si pasojë e një ligji të thjeshtë, të saktë e të tmerrshëm të materializimit ekonomik: varfërisë, mizerjes. Kush e njeh nga afër Shqipërinë, kush i ka vizituar brenditë e saj, ka të fiksuar në mendje tmerret antihigjenikë e antinjerëzorë të kasolleve a kolibeve ku rron ky popull, ushqimin e papastër e të dëmshëm që ha, ujin e pistë e të infektuar që pi, sëmundjet e neveritshme dhe vdekjeprurëse – që nga sifilizi te malarja, nga lupus-i te tuberkulozi – që e sfilitin; kush pra, me një fjalë, që e ka përpara syve kuadrin e plotë të këtij rrënimi, nuk do të guxojë të mrekullohet kurrë pse Shqipëria pret e pranon çfarëdolloj ndihme qoftë e nga cilado anë që t’i vijë.

Leave a Comment »

No comments yet.

RSS feed for comments on this post. TrackBack URI

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Blog at WordPress.com.

%d bloggers like this: