Alb2010's Blog

February 26, 2010

Enver Petrovci, ‘Sonte jam vetëm’ në Metropol

Filed under: Uncategorized — by alb2010 @ 11:53 pm

Më së shumti njerëzit kanë frikë nga vetmia. Nuk ka rëndësi se sa të pushtetshëm, apo të dobët janë, nëse janë të pasur, apo të varfër, të bukur, apo të shëmtuar, në kulmin e shkëlqimit, apo drejt greminës. Kur vjen puna te frika, të gjithë janë njëlloj. Të gjithë i tremben vetmisë. Të mbeturit vetëm, të fjeturit vetëm, të vdekurit vetëm. E kjo nuk ndodh vetëm në pleqëri. Madje edhe në kulmin e rinisë, ndihesh kaq i pafuqishëm kah boshllëkut të vetmisë, saqë mundohesh ta mbushësh atë me gjithfarë fantazish.

Në të njëjtën barkë lundron edhe Aktorja, një nga dy personazhet e veprës “Sonte jam vetëm” të Andre Pol Antoan dhe që vjen sot në mbrëmje në skenën e Teatrit të Metropolit, nën regjinë e të mirënjohurit Enver Petrovci. Pasi nuk ke më çfarë t’i shtosh profilit të tij prej aktori të madh, Petrovci hidhet herë pas here edhe në regji. Pasi e shfaqi fillimisht në skenën e Teatrit “Dodona” në Prishtinë, ku u prit mjaft mirë nga spektatori, vjen në Tiranë, pikërisht në teatrin e kryeqytetit, për të sjellë dramën e prekshme të individit. Në datën 21 shkurt pati premierën, kur edhe mori mikpritjen e parë të kryeqytetit, për të vijuar edhe sot e nesër në Teatrin e “Metropolit”. “Sonte jam vetëm” është një dramë, e cila vjen përmes lojës së dy aktorëve, Ilir Tafës, i cili hyn nën petkat e një shumësie karakteresh dhe Niada Saliasit, që luan rolin e aktores së vetmuar. Regjisori e ka punuar veprën në mënyrë të tillë, që ajo të ketë disa rrafshe leximi. Përmes dy personazheve zbulohet vetmia e individit, nevoja e ethshme për dashuri. Dhe është pikërisht ajo (dashuria), që jo vetëm mbush përditshmërinë, por edhe vendos ekuilibrat shpirtërorë. Një ndër dy personazhet, aktorja është një shpirt i vetmuar. Prej gjendjes së saj merr titullin edhe vepra. Madje ajo ndihet aq e zbrazët, saqë detyrohet të marrë në telefon kolegen e saj, e cila duhet ta mbajë me muhabet e të mos e lërë vetëm. Pikërisht këtu, në nevojën e saj për të qenë me dikë, hyn në lojë personazhi i dytë, i cili shndërrohet në dhjetëra karaktere e figura. Nuk dihet në është një vjedhës, një detektiv, producent, regjisor apo aktor filmi… Apo thjesht dhe vetëm një i sëmurë mendor, pacient i bashkëshortit të saj mjek, në Psikiatri. A është real ky person, apo është thjesht dhe vetëm fryt i imagjinatës së saj të etur, për të gjetur njeriun e duhur? Ndaj e vesh atë me lloj-lloj petkash, pa mundur të gjejë veten. Ky lloj kalimi, nga njëri karakter në tjetrin, e bën veprën interesante dhe aspak monotone. Por duhet thënë se edhe loja e aktorëve i përshtatet më së miri këtij aksioni të shpejtë, ku situatat shndërrohen nga tragjike në komike. Gjatë shfaqjes së saj në Kosovë, kritika nuk ka mbetur indiferente karshi kësaj vepre. “Enver Petrovci në vazhdimësi na jep shfaqje multidimensionale që tejkalojnë mentalitetin provincial dhe rajonal, duke mëtuar suksesshëm të transmetojë te publiku vlera universale, por me këtë rast, në shfaqjen “Sonte jam vetëm” ai na paraqitet me një estetikë dhe pastërti skenike, kreacion në formulimin e karaktereve. Regjisori me saktësi milimetrike krijon mizanskenë të saktë dhe temporitëm funksional”, shkruan regjisori Jeton Ahmetaj. “Ilir Tafa në rolin e psikopatit, paraqitet me shumë kreativitet, duke përdorur mjeshtëritë e tij profesionale prej aktori. Duke kaluar nga një gjendje në tjetrën, ai me besueshmëri e luan frikën, ankthin, djersitjen, mashtrimin, dhembjen, bosin, detektivin, mjekun dhe, krejt në fund, të çmendurin. Nga ana tjetër, Niada Saliasi, pa asnjë dilemë ka ndërtuar rolin e saj si një zonjë e rëndë. Ajo është herë tragjike e herë komike, brutale dhe shumë seksi, krenare edhe e sëmurë mentale. Niada ia arrin ta zotërojë me sukses dhe elasticitet dinamikën mizanskenale të shfaqjes “Sonte jam vetëm””, shkruan regjisori Kastriot Saqipi. Më tej ai shprehet se gjatë gjithë shfaqjes, e cila zgjat plot 1 orë e 15 minuta, aktorët nuk aktronin, por jetonin. “Ata kalojnë nëpër gjendje të ndryshme emocionale, duke i ikur me sukses robotizimit dhe fjalëve teknike të personazheve, deklamimit të dialogut, lëvizshmërisë së panatyrshme. Që të dy tingëllonin krejt njerëzorë, me një dialog të qartë dhe preciz. Temporitmi i lojës së aktorëve imponohet nga vetë ideja e shfaqjes dhe mizanskenimi regjisorial që të jepte përshtypje se je duke shikuar një film në shtëpi”. Sipas tij, loja e aktorëve është aq e vërtetë, sa që ndonjëherë e dyshon se mos po ndodh diçka reale. Në funksion të së gjithës, punës regjisoriale, por edhe lojës së aktorëve është edhe skenografia, e pasur, aspak e lodhshme dhe monotone. E tillë është edhe kostumografia që i përshtatet situatave dhe gjendjeve të personazheve, ato kalojnë nga grija, tek e kuqja, tek e zeza, nga trishtimi, te gëzimi. Apo edhe muzika, e cila asnjëherë nuk është e rastësishme, por njëtrajtësohet me atmosferën e së gjithës. Në dramën “Sonte jam vetëm”, shumëkush mund të gjejë veten, madje jo vetëm ata që ndihen vetëm. Shumëkush ka arritur të gjejë aty diçka të ngjashme me atmosferën që e rrethon. Kritikët kosovarë kanë gjetur aty edhe diçka nga marrëdhëniet e artistëve, të cilët fatkeqësisht e shohin njëri-tjetrin si armiq.

Leave a Comment »

No comments yet.

RSS feed for comments on this post. TrackBack URI

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Blog at WordPress.com.

%d bloggers like this: